E pabesueshme ! Ronaldo është “klubi” i 10-të më efikas në Champions!

Kristiano Ronaldo e konfirmoi përsëri se ai ndodhet në top formë edhe në ndeshjen e Champions-it kundër Juventusit, kur me dy golat e tij kontribuoi në fitoren bindëse 3-0 të Realit ndaj Juventusit në Torino. Në këtë mënyrë, ai e forcoi edhe më shumë pozitën e tij në listën e golashënuesve më të mirë në këtë konkurrim me 119 gola, 19 më shumë sesa Lionel Mesi që ndodhet në vendin e dytë.

Në 19 ndeshje çerekfinale të Champions-it, ai ka shënuar, madje, 22 gola që do të thotë më shumë sesa ka shënuar i gjithë ekipi i Juventusit në këtë fazë të këtij konkurrimi gjatë të gjithë historisë së tij. Dhe tani vjen edhe qershia mbi tortë. Nëse Kristiano Ronaldo do të ishte klub, ai do të gjendej midis 10 klubeve që kanë shënuar më shumë gola në Ligën e Kampioneve. Duket e pabesueshme, por është e vërtetë dhe tregon dominimin e madh të futbollistit portugez në futbollin botëror.

Në historinë e Champions-it, më shumë gola ka shënuar Reali i Madridit – 248, i pasuar nga Barcelona – 234, Bajerni – 230, Mançester Junajtidi – 214, Porto – 178… dhe i 10-ti Kristiano Ronaldo i vetëm – me 119 gola! Një makineri e vërtetë golash.

Sfidanti.al