Planet e Raiolës dhe pohimi sensacional i Guardiolës për Pogbanë

Nuk ka kaluar shumë kohë kur një agjent i shquar i futbollit si Mino Raiola humbi gjakftohtësinë dhe lëshoi disa fjalë të rënda në drejtim të Pep Guardiolës, nga ato që nuk pritet të dëgjohen në nivele të tilla ku flitet për ndonja 100 milionë euro apo paund stërlina. “Ai është një qen dhe një frikacak”, ishte shprehja e italo-holandezit. Gjithkush priste përgjigjen e katalanasit, dhe ajo erdhi, por në mënyrë të habitshme dhe sensacionale.

“Ai më ka quajtur kështu? – tha Pepi, – veçse, në janar më ofroi mundësinë që të merrja Pol Pogbanë tek Mançester Siti. Ai pati interes të na jepte edhe Mkitarianin. Pogba, për mendimin tim, është një lojtar i një niveli tepër, tepër të lartë”. Ky lajm bëri xhiron e planetit, ndërsa Pogba u duk se bëri një reagim kur postoi në rrjetet sociale shprehjen “çfarë tha?!”, shoqërua me një foto të tij me dorën në vesh, sikur donte të dëgjonte më mirë.

Raiola, në vijim të historisë, pati një mohim dhe një pohim. “Unë nuk kam folur kurrë me të, – tha 50-vjeçari me origjinë nga Kampania, – unë flas me Mançester Sitin, një klub fantasik, me një trajner fantastik”.

Përtej konfliktit Raiola-Guardiola, kjo histori (nëse ka të vërtetë në të) zbulon edhe më tej sesa të këqija ishin në janar marrëdhëniet e Pogbasë e Murinjos në “Old Traford”, dhe po ashtu raportet Raiola-Murinjo.

Sfidanti.al