U quajt “finalja e miqësoreve” dhe nuk mund të kishte emër tjetër për Gjermani-Spanjë. Plot 50 653 tifozë në stadiumin e Dyseldorfit (mbushur plot e përplot) ndoqën një përballje të një niveli tepër të lartë, edhe pse të dyja skuadrat nuk është se shfaqën gjithçka nga “repertori”. Rodrigo Moreno kaloi në epërsi spanjollët në 6’, por Tomas Myler barazoi shumë bukur me gjuajtje nga distanca në 35, për rezultatin 1-1.
Ishte duel shumë i fortë, me iberikët që dolën të kënaqur nga prova me kampionët e botës në fuqi, dhe me gjermanët që kuptuan sesa e vështirë do të jetë të thyhet ky kundërshtar në Rusi në turneun e verës.
Trajneri Joakim Lëv provoi këtë formacion titullar: Ter Shtegen, Kimih, Boateng, Humels, Hektor, Kedira, Kros, Myler, Ozil, Draksler dhe Verner. Gjatë lojës u aktivizuan edhe Gyndogan, Sane, Gorecka e Gomez. Spanja, ndërkaq, pati ndonjë eksperiment në sulm: De Gea, Karvahal, Pike, Ramos, Zhordi Alba, Tiago Alkantara, Koke, Iniesta, David Silva, Isko, Moreno. U aktivizuan Saul, Naço, Asensio, Diego Kosta, Lukas Vaskez dhe Rodri.
Në duelin tjetër “botëror”, Argjentina triomfoi 2-0 ndaj Italisë në “Etihad” të Mançesterit. Në një ndeshje ku Lionel Mesi u mbajt në stol, për amerikanojugorët e drejtuar nga trajneri Sampaoli shënuan Ever Banega dhe Lanzini. Po ashtu, nuk luajti heroi vendas, Sergio Aguero, edhe ai me dëmtim, ndërsa jashtë ekipit kanë mbetur Ikardi dhe Dibala. Italianët u panë të rrezikshëm në pjesën e parë, por ranë pas pushimit.
Kristiano Ronaldo ndërkaq fitoi duelin me Mohamed Salahun duke realizuar dy gola ndaj një të sulmuesit të Liverpulit, në duelin Portugali-Egjipt. Salah kaloi miqtë në epërsi në 57’, por ylli i Realit gjeti rrjetën në sekondat e fundit, duke siguruar fitoren. Tashmë, ai ka 39 gola në këtë sezon, ndaj 37 të Salahut e 35 të Mesit.
Së fundi, një tjetër miqësore luksoze ishte ajo në Amstedam, ku Anglia fitoi ndaj Holandës 1-0. Ishte hera e parë që anglezët luanin në Holandë që nga viti 1969 dhe ia dolën të merrnin suksesin falë një goli të bukur të sulmuesit të Mançester Junajtidit, Xhesi Lingard.
Sfidanti.al