Një trajner dhe një sulmues, planet e verës për Bajernin

Trajneri i Bajernit duhet të flasë gjermanisht. Kjo është shprehja disi e dalë mode (por, shumë normale në këtë kohë jo aq shumë globaliste) që ka dalë nga goja e Uli Hënesit dhe ndoshta e Karl-Hajnc Rumeniges. Ata e thanë pasi larguan Karlo Ançelotin dhe morën Jup Hajnkesin, veçse ky i fundit do të ikë në verë, dhe ekziston mundësia që “parimi i gjermanishtes” të shkelet.

Mediat raportojnë se drejtori sportiv, Hasan Salihamixhiç, ka pasur takim me Maurisio Poçetinon, duke shprehur dëshirën e qartë për ta pasur si trajner, njeriun e Totenhemit. Vështirësia është e madhe, pasi Poçetino ka kontratë deri në 2021 dhe Spërsat nuk e lëshojnë nëse nuk paguhet një shifër mbi 10 milionë euro. Po ashtu, Reali besohet se interesohet për të, ashtu si edhe Paris SG. Gjithsesi, dëshira qenka për Poçetinon, edhe pse është diskutuar shumë për kandidatët e mundshëm gjermanë si Nagelsman apo Tuhel.

Bajerni, gjithsesi, kërkon përforcime edhe në skuadër dhe emri i ri që ka dalë në skenë është ai i Jan-Fite Arpit. Gjermani 18-vjeçar është sulmues dhe vlerësohet si shumë i talentuar, ndërsa bavarezët mund ta kenë më të lehtë pasi Hamburgu është pranë rënies nga Bundesliga.

Sfidanti.al