Përse Aleksis Sançez drekon shpesh në vetmi tek Junajtidi?!

Telashet nuk po kanë të mbaruar për Zhoze Murinjon dhe goditjet e tij të dikurshme të mrekullueshme në transferime duket se nuk ekzistojnë më. Pas krizës së Pol Pogbasë, ja një tjetër afrim i shtrenjtë që nuk po “ndez”, ai i Aleksis Sançezit. Mediat britanike shkruajnë me alarm se kileni mund të ketë fundin e Angel Di Marisë, edhe ai tepër i vlerësuar, por që nuk dha asgjë për Mançester Junajtidin.

Ata që janë pranë skuadrës thonë se Sançez nuk duket aspak i lumtur, dhe se shpesh drekon apo darkon i vetëm, diçka aspak normale për sportistë të një skuadre, qoftë kjo futboll, basketboll apo regbi. Ekziston mundësia, pra, që futbollisti i ardhur me bujë nga Arsenali, të mos ketë arritur të lidhet me shokët, pasi nuk besohet të ketë pasur ndonjë konflikt në kaq pak kohë në “Old Traford”.

Forma e tij në fushë, po ashtu, ka qenë shumë e keqe, me vetëm 1 gol të shënuar në 10 ndeshje, dhe puna erdhi që Murinjo u detyrua ta linte në stol për herë të parë, në ndeshjen e Kupës ndaj Brajtonit. Junajtid është shumë i shqetësuar pasi lojtari u mor me rrogë të përgjithshme 600 000 stërlina në javë, gati 700 000 euro, pagesa më e lartë në Premier Ligë dhe një nga më të lartat në botë.

Sfidanti.al