Harden do të jetë Numri 1 i sezonit, e tregoi edhe në Portlend

Xhejms Harden me siguri thuajse të plotë do të pasojë Rasëll Uestbrukun si lojtari më i mirë i sezonit në NBA. Ylli i Hjustonit dha një tjetër provë të nivelit të tij stratosferik duke udhëhequr ekipin në fitoren e vështirë dhe kuptimplotë në fushën e Portlendit.

Kundërshtari kishte 13 fitore radhazi, por u mund 111-115, falë 42 pikëve të shënuara nga Harden. Kapiteni i miqve pati edhe 6 topa në tabela, 7 asistë, ndërsa ishte gjithnjë vendimtar në organizimin e sulmeve dhe në mbrojtje. Tepër ndikues ishte fakti që “Mjekra” realizoi 5 nga 7 gjuajtjet për 3 pikë, me një saktësi të rrallë.

Këtë sezon, Hjustoni është bërë edhe më i fortë pasi në krah të Hardenit është Kris Pol, ylli i ardhur nga Klipersat. Në fushën e Portlendit, ai shënoi 22 pikë, kapi 8 topa në tabela dhe shërbeu 6 asistë. Plot 9 lojtarë të Rokitsave shënuan pikë dhe dhanë kontribut në fitoren që ishte e 6-ta radhazi, dhe e 23-ta në 24 ndeshjet e fundit. Hjustoni kryeson Konferencën Lindore me 57 fitore e 14 humbje (4 humbje më pak se Golden Stejti), duke pasur bilancin më të mirë në NBA.

Sfidanti.al