Mesi bën diferencën, eleminon Çelsin, arrin 100 gola në Chasmpions

Mesi, Mesi dhe vetëm Mesi. Edhe pse Barcelona luan në fushë me 11 lojtarë, plus zëvendësuesit, sërish duket sikur njeriu që bën diferencën është vetëm njëri, ylli që mund të realizojë ato që të tjerët as nuk mund t’i ëndërrojnë.

Spektakolari argjentinas ishte edhe një herë tjetër heroi, madje mund të quhet edhe shpëtimtari, pasi edhe kur Barcelona shfaqet e vogël, ai e bën të duket e madhe. Nuk ishte i ndershëm dhe i drejtë për Çelsin rezultati 0-3 në “Kamp Nou”, dhe eleminimi me shifrat e përgjithshme 1-4.

Me karakterin tipik të trajnerit të saj, skuadra londineze u tregua shumë trime në fushën tepër të madhe të stadiumit më gjigand të Europës, madje edhe kur shifrat ishin 0-1, edhe kur ato shkuan 0-2. Çelsi besoi dhe mund t’ia kishte dalë, por me një kusht, që në fushë të mos kishte qenë Mesi.

Numri 10 shënoi dy gola, nga pozicione tepër të vështirë, krijoi golin e Usman Dembelesë me aksionin më të bukur të ndeshjes, dhe ishte regjisori, ura lidhëse dhe “skela ankoruese” në çdo moment për ekipin e trajnerit Ernesto Valverde.

Barcelona është në çerekfinale, ndërsa Mesi është në kuotën e 100 golave në Champions. Vetëm Kristiano Ronaldo ka shënuar më shumë sesa ai, veçse bëhet fjalë për dy role të ndryshëm. Portugezi i Realit luan shumë më afër portës dhe nuk ka detyra “speciale”, ndërsa argjetinasi i Barçës është “shtylla e shtëpisë”, njeriu që merr përsipër gjithçka, sidomos që pas ikjes së Ksavit dhe rënies fizike të Iniestës.

Gjithsesi, Barcelona nuk bind plotësisht, qoftë edhe me Mesin. Çelsi luajti shumë më mirë sesa Man. Junajtidi, por bëri gabime. Çfarë do të ndodhë kur përballë të jenë Reali, Bajerni apo Juventusi që mund të mos gabojnë? Do të duhet sërish një Leo mbinjerëzor për t’ia dalë.

Sfidanti.al