Hajnkes vendos një rekord me fitoren e Bajernit në Champions

Bajerni i Mynihut e mbylli me fitore turin e dytë të Ligës së Kampionëve duke ndihmuar trajnerin e vet që të vendoste një rekord. Suksesi 3-1 në fushën e Beshiktashit ishte i 11-ti radhazi për Jup Hajnkesin si trajner, diçka që nuk e kanë bërë as specialist të mëdhenj të së kaluarës si Munjos, Mishels, Latek, Van Gal apo Ançeloti.

Bavarezët, që kishin fituar 5-0 në ndeshjen e parë në Mynih, e luajtën ndeshjen me seriozitet maksimal ndërsa Hajnkes kishte bërë dy ndryshime në krahasim me sfidën ndaj Hamburgut në Bundesligë. Rafinja e Tiago Alkantara ishin titullarë, në vend të Kimihut e Robenit. Kampionia e Gjermanisë shënoi me anë të Tiago Alkantarës në 18’, Gokhan Gonulit (autogol) në 46’ dhe Sandro Vagnerit në 84’. Turqit shkurtuan diferencën në 1-2 me sulmuesin brazilian, Vagner Lov.

Autogoli i Gonulit erdhi vetëm 28 sekonda pasi kishte nisur pjesa e dytë. Bajerni tani do të presë shortin e së premtes, duke qenë një nga pretendentët kryesorë për titullin.

Sfidanti.al