Juventusi ia doli të kishte sukses edhe në një nga mbrëmjet e saj më të zeza, si ajo në Londër, dhe u mbështet tek përvoja e vet dhe tek (mos) përvoja e Totenhemit. Ky “pluhur magjik”, i fituar falë dekadave në kupat kontinentale, po bën efektin e kundërt për italianët në Ligën e Europës.
Pas Milanit që u gjunjëzua në shtëpi, ja edhe Lacio që gjithashtu nuk e shfrytëzoi dot siç duhet faktorin fushë. Dinamo e Kievit, kundërshtar i mundur nga Skënderbeu në fazën e grupeve, mori një barazim të rëndësishëm 2-2 në stadiumin “Olimpiko”, dhe e pret me më shumë optimizëm ndeshjen e kthimit të të tetave të finaleve në “Stadiumin Republikan” të Kievit.
Viktor Cigankov e Zhunior Moraesh ishin ata që shënuan rrjetat për skuadrën më të famshme të Ukrainës, ndërsa Çiro Imobile e Felipe Anderson, barazuan dhe përmbysën rezultatin përkohësisht për Lacion. Në minutën e fundit nga 3 të dhëna shtesë, Imobile goditi shtyllën, por rezultati nuk ndryshoi.
Mungesë përvojë edhe për skuadrat ruse, ku ajo me më shumë eksperiencë ka më shumë shpresë. Dy ekipet e Moskës, Lokomotiv e CSKA u mundën dhe duken pa shpresë, ndërsa Zeniti i Shën Petersburgut vërtet humbi, por shanset i ka të plota. Zeniti u thye 1-2 në fushën e Lajpcigut gjerman, dhe goli i italianit Krishito (dedikim për Astorin) në 86’ e ndihmon jo pak ekipin e Roberto Mançinit.
Lokomotiv u thye keq 0-3 në fushën e Atletikos së Madridit, ndërsa CSKA e pësoi brenda në Moskë nga Lioni francez, 0-1. Në ndeshjet e tjera, Marseja ka marrë komandën e duelit me Bilbaon pas fitores 3-1 në shtëpi, po ashtu Sportingu që fitoi 2-0 në Lisbonë ndaj Plzenjit çek, ndërsa Dortmundi është në prag të eleminimit pas humbjes 1-2 në shtëpi me Salcburgun.
Sfidanti.al