Lebron Xhejms ia doli edhe një herë tjetër dhe duket se skuadra e tij është kthyer tashmë në shina. Klivlend Kavaliers arriti një fitore të rëndësishme në fushën e Denverit, me shifrat 113-108, ndërsa një duel emocionues u zhvillua në parket. Përballë Lebronit ishte ylli i vendasve, Nikola Jokiç, një nga “importet” më të suksesshme të NBA-së nga Europa.
Basketbollisti polivalent serb thuajse ishte barabar me yllin më të madh të botës. Jokiç shënoi 36 pikë, kapi 13 topa në tabela dhe shërbeu 6 asistë. Ai gaboi vetëm 2 nga 14 gjuajtje për dy pikë, realizoi dy nga tri gjuajtjet për 3 pikë, si dhe humbi vetëm 1 gjuajtje të lirë nga 11 të provuara.
Xhejms ishte ndoshta pak më mirë në total, por më dobët në saktësi. Superylli realizoi 39 pikë, kapi 8 topa në tabela dhe shërbeu 10 asiste, ndërsa vodhi edhe një top. Ai gaboi më shumë në gjuajtjet e të gjitha llojeve (1, 2 e 3 pikë), por prania e tij ishte vendimtare për Klivlendin.
Këta të dy, Lebroni e Jokiçi, ishin në dy nga tre vendet e para të lojtarëve më të vlerësuar të mbrëmjes në NBA, me Xhejmsin që mori 63.6 pikë “pikë fantazie” (Fantasy points) dhe Jokiçin që pati 55.6.
Sfidanti.al