Nuk ka të dytë si Mesi, vendos rekorde, dhe fatin e La Ligës

Epërsia ishte e gjitha, ndonëse nuk mund të quhej spektakël. Nga Barcelona e mrekullueshme e treshes Mesi-Ksavi-Iniesta, apo Mesi-Suarez-Nejmar, ka mbetur vetëm një protagonist. Lionel Mesi që vazhdon të shkëlqejë me fanelën e tij me numrin 10, dhe të vendosë fatin e titujve kampion. Vendosi edhe një rekord tjetër, duke u bërë i pari lojtar në historinë e ligës që shënon në tri ndeshje radhazi nga goditja e dënimit.

Duhen edhe 11 javë për t’u mbyllur liga spanjolle, por fitorja e Barcelonës ndaj Atletikos thuajse e përcaktoi se kush do të jetë fitues. Katalanasit u shkëputën në 8 pikë nga Atleti, ndjekësi më i afërt, ndërsa Reali është plot 15 pikë larg.

E kush mund ta ndalë një skuadër eksperte, që ka fituar 6 nga 9 titujt e fundit në Spanjë? Katalanasit e merituan fitoren edhe pse me shifra minimale, duke mos e lejuar kundërshtarin të bënte thuajse asgjë. Nuk i bëri punë trajnerit të miqve, Simeones, hedhja e 4 sulmuesve në fushë, sepse porta e Ter Shtegenit nuk u rrezikua thuajse asnjëherë. Edhe një gol që u shënua në fund, u anulua për pozicion të drejtë jashtë loje të Diego Kostës.

Formacioni i trajnerit Valverde, në krahun tjetër, pati raste për të shënuar më shumë. Mesi, Kutinjo, Suarez, Pike apo Buskets iu afruan golave të tjerë, por u ndalën nga portieri i shkëlqyer Jan Oblak, ndonjëherë edhe nga mbrojtja. Në fund të fundit, rezultati 1-0 ishte i pritshëm mes dy ekipeve me mbrojtjet më të forta të kampionatit.

Barça thuajse vulosi realizimin e njërit prej objektivave kryesorë të sezonit, ndërsa tani duhet të përqëndrohet plotësisht tek dueli i dytë me Çelsin në Champions, sfidë ku është sërish favorite pas barazimit 1-1 në Londër. Po ashtu, katalanasit janë edhe në finalen e Kupës së Mbretit.

Sfidanti.al