Silva+Silva, Guardiola vrapon drejt titullit me dyshen e ëndrrave!

Një fitore e tillë është krejt e padenjë për standardet e tyre. Gjithsesi, kur luhet ndaj kampiones në fuqi, suksesi 1-0 i bën nder edhe një skuadre që po shkon tashmë drejt titullit, si Mançester Siti. Formacioni i shkëlqyer i Pep Guardiolës, që ka një mesatare prej 3 golash për çdo takim në Premier Ligë, hodhi një hap tjetër të madh për tek triumfi përfundimtar në maj, duke mposhtur një tjetër rival direkt. Mançester Junajtidi, Totenhemi, Çelsi e Arsenali janë thyer që të gjithë, dhe vetëm Liverpuli ka mundur të marrë një fitore ndaj kryesuesve, ndonëse në fazën e parë u mund keq.

Ishin gati 54 000 tifozë në stadiumin “Etihad” dhe me siguri u kënaqën nga loja e skuadrës së tyre. Siti sulmoi gjatë gjithë kohës, duke mbajtur topin 71 për qind, duke pasur 13 gjuajtje drejt portës dhe duke dominuar në çdo drejtim. Çelsi nuk realizoi dot asnjë gjuajtje në portë, gjë që nuk kishte ndodhur kurrë që nga 2003-2004 kur nisën të mbaheshin statistikat. Pep Guardiola, ndërkaq, i bë i dyti trajner që fiton dy ndeshjet në një sezon ndaj Kontes, pas Delio Rosit të Sampdorias në 2012-2013.

Autor i golit ishte Bernardo Silva, por njeriu i ndeshjes u shpall David Silva, ai shërbeu asistin e rrjetës. Ky ishte pasimi i 12-të për gol këtë sezon për spanjollin, ndërsa në Premier ka dhënë gjithsej 73 asistë, duke qenë numri 1, me 20 më shumë sesa lojtari më i afërt. Mançester Siti është 18 pikë para vendit të dytë, një diferencë shumë e madhe, sidomos në një kampionat kaq të fortë sa ai anglez. Rivalët si Liverpuli, Mançester Junajtidi e Totenhemi po luftojnë për një vend në Champions, ndërsa Çelsi duket edhe më larg këtij qëllimi, pas disfatës së fundit.

Sfidanti.al