Lajmi kryesor nuk ishte ai I fitores së thellë. Nuk bën më përshtypje kur Bajerni triumfon, madje as kur e bën 4-0 në fushë kundërshtare, por më shumë tërheq njoftimi për njeriun e stolit. Jup Hajnkes nuk do të vazhdojë sezonin e ardhshëm, ndërsa shpejt pritet të mësohet pasardhësi I tij.
Fjalët e dala duhet të merren seriozisht sepse ai që I shkruan ka dhënë prova se ka burime tek bavarezët. Gazetari gjerman, Kristian Falk, postoi në Tuiter: “Për shkak të kërkesave të shumta, Bajerni planifikon të bëjë publik emrin e trajnerit për sezonin e ardhshëm, brenda tri apo 4 javëve. Ky është afati”. Falk u bë I famshëm kur në fund të shtatorit, tregoi se Karlo Ançeloti I kishte ditët të numëruara tek Bajerni.
Në atë kohë ai postoi në Tuiter këtë mesazh: Tomas Tuhel është zgjedhja e parë për t’u bërë trajner I Bajernit”. Edhe pse Tuhel nuk u zgjodh, Ançeloti u shkarkua pas disfatës së rëndë ndaj Paris SG në Champions, dhe në vend të tij u emërua Hajnkes.
Bajerni, në të vërtetë, nuk ka asnjë dëshirë që Hajnkes të largohet, pasi skuadra po shkëlqen nën drejtimin e tij. Pasi e mori në vend të dytë, veterani 72-vjeçar e ka nxjerrë të parën, me 20 pikë diferencë me vendin e dytë, 63 pikë ndaj 43 të Shalkes. Suksesi 4-0 në fushën e Frajburgut tregoi se çfarë frymëzimi ka loja e kampionëve, edhe pse Levandovski ishte në stol, ashtu si Robeni, ndërsa Riberi nuk ishte fare I grumbulluar.
Yje të rinj si Kimih, Toliso, Tiago Alkantara apo Sandro Vagner po bëjnë përshtypje të thellë, ndërsa një nga meritat e mëdha të Hajnkesit është se ka rikthyer në formë të madhe veteranin Tomas Myler. Sulmuesi ishte edhe kapiten këtë herë, duke shënuar një gol, duke shërbyer një asist, dhe duke detyruar vendasit të shkaktonin autogol.
Askush nuk mund të thotë sot për sot se cili mund të jetë pasardhësi I Hajnkesit. Ndoshta Tuhel që ishte favorit në shtator, apo ndoshta Joakim Lëv, trajneri I kombëtares së Gjermanisë që mund të largohet pas Botërorit.
Sfidanti.al