“Mjekra” Xhejms Harden drejt Numrit 1 dhe titullit për Hjustonin

Për pak sa nuk përfundoi me humbje përballja e fortë në shtëpi ndaj Bostonit. Hjustoni, gjithsesi, ia doli ta ruajë të paprekur serinë prej 15 fitoresh radhazi, e dyta seri më e gjatë në historinë e klubit, dhe natyrisht meritën kryesore sërish e pati i mbiquajturi “Mjekra”.

Xhejms Harden mbajti me moral të lartë shokët e tij, ndërsa Boston Sëlltiks kryesonte e kryesonte në qendrën e madhe të banuar të Teksasit. Barazimi dhe pastaj kthesa ndodhën vetëm kur duheshin edhe 1 minutë e 33 sekonda që të përfundonte ndeshja, kur Trevor Ariza fiksoi shifrat 115-115 dhe Rokitsët nuk u mbajtën më. Suksesi, sidoqoftë, ishte me 3 pikë diferencë, 123-120, diçka normale kur ndeshen dy pretendentë për titull.

Harden shënoi 26 pikë, kapi 7 topa në tabela, shërbeu 10 asistë, vodhi 5 topa ndaj kundërshtarëve dhe u bllokoi një gjuajtje. Një paraqitje madhështore në 37 minuta në parket, ndërsa shumë mirë luajtën titullarët Trevor Ariza, Kris Pol e Klint Kapela. Për Bostonin, Kajri Irving nuk ishte në mbrëmjen e tij më të mirë, duke shënuar vetëm 18 pikë.

Harden mund të quhet favorit për t’u shpallur Lojtari më i mirë i sezonit në NBA, duke qenë shënuesi më i mirë, i treti për asistet dhe i pari për gjuajtjet tripikëshe. Po ashtu, ai është i pari në vlerësimin me pikë, duke lënë paksa prapa Lojtarin më të mirë të sezonit të kaluar, Rasëll Uestbruk. Edhe Hjustoni është në vend të parë në NBA, kryesues i Konferencës Perëndimore me 49 fitore e 13 humbje, bilanci më i mirë i kampionatit.

Sfidanti.al