Partizani, Karoglan: Gjendja psikologjike s’është optimale

Ka marrë një ekip në emergjencë të plotë dhe tani i duhet që të bëjë diçka për të përmirësuar klimën në ekip dhe pozicionin e klubit në tabelën e klasifikimit. Detyra nuk është aspak e lehtë për Mislav Karoglan, i cili sot ishte përballë gazetarëve për të komentuar sfidën e radhës të Partizanit, i cili pret nesër në Vorë, Skënderbeun.

“Padyshim, pas një humbjeje të tillë gjendja psikologjike nuk është e mirë, por fokusi im ka qenë dhe kemi folur për gjërat pozitive që kemi bërë në atë ndeshje. Nuk është një rezultat ideal, pasi jemi goditur katër herë duke pësuar 4 gola”, tha kroati.

“Objektivi është të fitojmë ndeshjen. Gjithmonë është i njëjti objektiv për vetë nivelin, emrin e klubit. E kam përgatitur ndeshjen për ta fituar, nuk jam një trajner që mendoj si të mbrohet skuadra”, analizoi tekniku i kuq.

“Unë do të marr maksimumin në këtë klub. Aktualisht kemi 4-5 lojtarë mjaft të mirë të cilët janë të dëmtuar dhe kur ta kemi grupin të plotë dhe t’i kem të gjithë lojtarët përgjatë procesit stërvitor, unë do të kem një përgjigje më të mirë në lidhje me pyetjen tuaj”, tha Karoglan.