“Çfarë pa gjyqtari Lahos, kur dha penallti në favor të Las Palmasit kundër Barcelonës? Kjo është pyetja që preokupoi, të premten, opinionin futbollistik në Spanjë. Barcelona, të enjten, luajti në ishujt Kanare, ku, në fakt, luajti shumë keq dhe nuk arriti të mundte një ekip që po lufton që të mbijetoi në La Ligën spanjolle. Golin e vetëm për Barcelonën e shënoi Mesi, në min. e 21-të, nga një goditje e lirë, kurse, në min. e 48-të për Las Palmasin barazoi Kaleri.
Duke dhënë 11-metërsh kundër ekipit katalonjas, gjyqtari shkaktoi zemërimin e trajnerit, lojtarëve dhe të udhëheqjes së Barcelonës, si edhe të tifozëve të këtij klubi. Edhe pse penalltia ishte e diskutueshme, me këtë rast, doli në publik një e dhënë interesante. Pikërisht, kjo ishte penalltia e parë që jepet kundër Barcelonës mbas… 746 ditësh! Më 14 shkurt 2016, gjyqtari Ernandez Hernandez dha penallti në favor të Seltës kundër Barcelonës në “Nou Kamp”. Penalltinë e realizoi Xhon Guideti, por, sidoqoftë, Barcelona e fitoi thellë 6-1 ndeshjen. Pikërisht, 746 ditë më vonë, gjyqtari Lahos “vërshëllen” penallti për Las Palmasin. Xhonatan Kaleri mposhti Ter Shtegenin dhe e gjithë ndeshja u mbyll 1-1. Por, edhe më interesant është fakti se, gjatë këtyre 746 ditëve, në favor të Barcelonës janë dhënë 21 penallti!
Sfidanti.al