E pabesueshmja ndodhi, Klivlendi tani është sërish për titull

Deri të enjten e kaluar, Klivlend Kavaliers ishte thjesht një “lavdi e plakur”. Madhështia e Lebron Xhejmsit nuk mjaftonte më për të mbuluar katastrofën që po afrohej gjithnjë e më shumë, me skuadrën dominuese të Konferencës Lindore që kishte zbritur në vendin e tretë dhe që mund të binte edhe më poshtë.

Lebroni besohej se do të largohej në fund të sezonit, duke qenë në përfundim kontratë dhe duke mos pasur besim te drejtuesit. Destinacioni i tij mund të ishte Los Anxhelos Lejkërs apo (a besohet?!) Golden Stejt Uorriors, por bordi i Klivlendit bëri një manovër fituese në minutën e fundit.

Një biznes shkëmbimi lojtarësh pikërisht me Lejkërsat, por edhe me Sakramenton, Juta Xhazin dhe Majemin, bëri që 6 nga 15 basketbollistët të largoheshin nga klubi. Mes tyre ishin katër blerjet e bujshme të verës së kaluar, Ajsajah Tomas, Duejn Uejd, Derrik Rouz e Xho Krauder. Kjo bëri që nga skuadra kampione e 2016-ës të mbeteshin vetëm katër lojtarë (Xhejmsi, Kevin Lov, Tristan Tompson dhe XheiRi Smith), plus Kajl Korverin nga ekipi finalist i vjetshëm në NBA.

Gjithsesi, afrimet ishin të goditura. Rodni Hud, Xhordan Klarkson dhe Lerri Nens Xhunior, të tre nga 25 vjeç, shtuan talent, por sidomos energji duke ulur moshën mesatare të ekipit me dy vjet. Ndryshimi u ndje shpejt, ndonëse nuk mund të bazohesh vetëm tek një ndeshje. Kavaliersët shkatërruan Bostonin brenda në Boston, 121-89 në ndeshjen e parë pas ndryshimeve, duke e treguar veten sërish pretendent.

Sfidanti.al