Kombëtarja e Anglisë 2004-2008, ose më mirë “Kulla e Babelit”

Në historinë e njerëzimit “Kulla e Babelit” ka mbetur sinonimi i sundimit të veseve dhe mëkateve. Pas rrëfimit të një ish-lojtari anglez, Kieron Dajer, kuptohet qartë se “Kulla e Babelit” e kohëve moderne ishte kombëtarja e Anglisë, sidomos e viteve 2004-2008. Dajer flet për një “bandë” lojtarësh, një grupi aspak të vogël, që ishin kthyer në bastexhinj profesionistë, njerëz të varur nga lojërat e fatit dhe që hynin në borxhe të mëdha pa mundur ta ndalonin veten.

Ai nuk jep emra, por disa mund të përmenden, mbi të gjithë Majkëll Oueni, që luante rolin e “kompanisë së basteve”, pasi vendoste koeficientet për bastet që vinin shokët e tij. Për fat të keq, Oueni humbiste vazhdimisht dhe hyri 50 000 paund stërlina në borxh. Vetë Dajer, kujton se në Euro 2004 në Portugali, ai ishte një mbrëmje në -46 000 paund, ndërsa mbrëmjen tjetër ishte ngjitur në +50 000.

Borxhi nuk ishte problem për yjet profesionistë që fitonin minimalisht 70 000 paund stërlina në javë, dhe normalisht shumë më tepër sesa kaq. Tronditja vinte nga fakti se këto “bëma” mund të merreshin vesh nga media dhe nga publiku, dhe kjo do të kishte një efekt shkatërrimtar për moralin dhe karrierën e tyre.

Kur mëson këto histori kupton se përse një skuadër e mbushur me talent si Anglia në 2004 apo në 2008, ishte gjithnjë dështim në turnetë e mëdhenj. Mendoni formacionin: Xhejms, Eshli Koul, Sol Kempbëll, Geri Nevil, Lampard, Xherrard, Skoulls, Bekam, Ouen, Runi!

A besohet se “Kulla e Babelit” në futbollin profesionist ishte dhe mbetet vetëm Anglia? Ndoshta, veçse nuk duhet harruar se në Angli gjërat dalin më lehtë në media, ndërsa në Itali apo Spanjë është më e vështirë. Nuk do të ishte çudi që të dilte ndonjë histori edhe nga këto superfuqitë e tjera.

Sfidanti.al