Për të dytën herë brenda pak ditësh Vllaznia nuk ia doli të fitonte në stadiumin “Loro Boriçi”. Pas humbjes 0-1 me Teutën, shkodranët barazuan pa gola me Vorën, që nuk e ka ende stadiumin gati dhe ndeshja u spostua në fushën e Vllaznisë me marrëveshje. Për të dytën ndeshje radhazi skuadra e trajnerit Martini nuk gjeti rrugën e rrjetës, duke treguar se ka varësi nga kapiteni Bekim Balaj. Nëse sulmuesi “veteran” nuk shënon, Vllaznia e ka të vështirë të fitojë. Fitorja e fundit në kampionat është ajo ndaj Dinamo City me një gol pikërisht të Balajt, aktualisht golashënuesi më i mirë i kampionatit (7 gola).
Sezonet e fundit Bekim Balaj ka qenë lideri i skuadrës kuqeblu në fushë, jo vetëm me golat e shënuar, por edhe me lojën grintoze. Kur ai vuan për të gjetgur rrugën e rrjetës, edhe skuadra vuan për të fituar. Balaj nuk shënon prej 3 ndeshjesh dhe Vllaznia po ashtu nuk fiton prej 3 ndeshjesh.
Goli i fundit i Vllaznisë mban firmën e Esat Malës (ndaj Partizanit), i cili luan si sulmues anësor. Çarls Bismark, sulmuesi që erdhi u mor nga Skënderbeu për të zëvendësuar Balajn, ka luajtur shumë pak për shkak dëmtimi. Trajnerit Edi Martini i duhet të gjejë mekanizma të tjerë për ta çuar skuadrën te goli, në mënyrë që Vllaznia të mos jetë e varur vetëm nga golat e Balajt.
sfidanti.al

