Maxi Lopez “shpërthen” ndaj Icardi: “Meriton një grusht”

Konflikti i gjatë mes Maxi López, Wanda Nara dhe Mauro Icardit rikthehet në qendër të vëmendjes pas deklaratave të reja të ish-sulmuesit argjentinas. Gjatë një interviste televizive, López u shpreh hapur për tensionet dhe ngjarjet e së kaluarës, duke hedhur akuza të forta ndaj ish-shokut të tij të skuadrës.

López mohoi kategorikisht akuzat që dikur i ishin bërë për dhunë fizike ndaj Wandës. Ai tha se ato pretendime ishin “krejtësisht të pavërteta”, ndërsa theksoi se edhe pse ka pasur arsye për të qenë i zemëruar, nuk ka ushtruar asnjëherë dhunë.

“Ka një person që e ka merituar një grusht, dhe ai është Mauro Icardi. Por nuk e bëra,” deklaroi López. Sipas tij, sjellja e Icardit gjatë periudhës së ndarjes dhe konflikteve familjare ka qenë e dëmshme, veçanërisht për fëmijët. “Kanë vendosur fëmijët në mes. Ka shumë gjëra që nuk i kam treguar kurrë,” shtoi ai, duke lënë të hapur idenë se në prapaskenë ka edhe detaje të tjera të pathëna.

Në muajt e fundit, çështjet ligjore mes palëve janë rikthyer në skenë, por gjykata ka vendosur për mungesë provash kundër Icardit, duke e arkivuar çështjen. Megjithatë, deklaratat e reja të López tregojnë se konfliktet personale dhe emocionet e akumuluara për vite me radhë mbeten ende të gjalla.

Historia treshe mes López, Wandës dhe Icardit, që prej ndarjes së bujshme dhe lidhjes së mëvonshme të narrës me Icardin, vazhdon të prodhojë zhurmë, ndërsa deklarata e fundit e ish-futbollistit i ka dhënë sërish zjarr një debati që dukej se ishte shuar.

sfidanti.al