Trajneri i Celsit vuri në dukje se ai nuk ka ndërmend të largohet nga ky klub londinez. Sidoqoftë, ky specialist italian është i ndërgjegjshëm se fati i një trajneri varet nga rezultatet që, ndërkohë, nuk janë aspak të mira. “Mendoj se tabela e klasifikimit flet vetë. Nëse sheh pikët, atëherë, kupton se kaq ke merituar. Në Premier Ligë, ka një ekip që ndodhet në formë fantastike dhe të cilin është e vështirë që ta ndjekesh”, deklaroi trajneri i “bluve” të Londrës, duke theksuar se ai, tani për tani, nuk mund të mbështetet te shërbimet e Alvaro Moratës.
“Ai akoma nuk është gati, por Olivie Zhiru po stërvitet dhe, shumë shpejt, ai do të jetë në dispozicion. Kur mungojnë futbollistë, si Morata, që janë shumë të rëndësishëm, kjo gjë ndihet te rezultatet e ndeshjeve”, vuri në dukje Konte. I pyetur, nëse i vjen keq për vendimin e huazimit të Miçi Batshuait te Borusia e Dortmundit, Konte u përgjigj: “Tani, pazari u mbyll. Ne e morëm këtë vendim dhe, tani, nuk ka rëndësi, nëse të vjen ose jo keq. Tani, ne kemi si synim që ta mbyllim sezonin sa më mirë”, vuri në dukje Konte.
Sfidanti.al