Golden Stejti fiton edhe kur Durant e Kërri marrin “pushimet”!

Kevin Duranti e Stefën Kërri janë padyshim yjet kryesorë të Golden Stejtit, ata që e bëjnë favorit për titullin në çdo sezon. Gjithsesi, kampionët në fuqi kanë më shumë potencial siç e tregoi ndeshja e fundit në NBA, ajo ndaj San Antonios. Kalifornianët triumfuan 122-105, falë “të fortëve” Klej Tompson e Drejmond Grin.

Kapiteni Tompson shënoi 25 pikë, duke qenë shumë i zoti në gjuajtjet për tri pikë (5 realizime nga 6 përpjekje). “Polivalenti” Grin arriti thuajse një tripëll-dabëll me 17 pikë, 8 topa në tabela e 11 asistë. Ishte kjo dyshe që qendroi më shumë në parket dhe mbajti skuadrën mbi supe.

Trajneri Stiv Kerr vendosi këtë herë t’i aktivizonte më pak Durantin e Kërrin. Dy yjet luajtën vetëm nga 28 minuta secili, duke mos dhënë maksimumin. Gjithsesi, Kërri shënoi 17 pikë, kapi 4 topa në tabela, shërbeu 8 asistë dhe vodhi 2 topa ndaj kundërshtarëve. Më “i qetë” Duranti me vetëm 10 pikë, 6 “tabela”, 6 asistë e 2 bllokime gjuajtjesh kundërshtarëve.

Golden Stejti po mendon të kursejë forcat për plej ofin, ndërsa padyshim synon edhe vendin e parë në Konferencën Perëndimore, në një konkurrencë të ashpër me Hjustonin. Skuadra e Xhejms Hardenit dhe Kris Polit është thuajse në të njëjtin nivel me Uorriorsët.

Sfidanti.al