Mallkimi vazhdon dhe duhet të presë ende që ta kalojë. Zhoze Murinjo sërish nuk ia doli të fitonte në stadiumin “Sent Xhejmsis Park”, ndërsa skuadra e tij, doli nga fusha e lojës, e mundur. Shtatë herë ka qenë portugezi përballë Njukasëllit në këtë stadium, në ndeshjet e vlefshme për kampionatin anglez, dhe asnjëherë nuk i ka marrë tri pikët.
U duk se këtë herë do t’ia dilte, pasi epërsia e Mançester Junajtidit ishte thuajse absolute. Skuadra mike ushtroi epërsi gjatë gjithë kohës dhe pati raste të pastër për të shënuar, por gaboi sa herë që iu afrua portës. Fati ishte kundër djemve të Murinjos, dhe po ashtu portieri vendas, Martin Dubravka, u tregua i shkëlqyer në debutimin për Njukasëllin.
Përballja u vendos nga një gol i shënuar nga Mat Riçi në pjesën e dytë, pasi Aleksis Sançez dhe shokët e tij shpërdoruan gola thuajse të sigurt. Fitorja bëri që ekipi i trajnerit Rafa Benitez të ngjitet në vendin e 13-të në tabelë, që nga vendi i 18-të që ishte më parë, ndërsa Junajtid mori një goditje të madhe për synimet e tij.
“Djajtë e kuq” janë ende në vendin e dytë me 56 pikë, por diferenca me vendin e pestë është vetëm 6 pikë, pra mund të rrezikohet kualifikimi për në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.
Sfidanti.al