Kur një klub futbolli ka një drejtor që merret me transferimet dhe që thotë fjalë jo të përshtatshme nga ana etnike, atëherë ka probleme. Këtë po e provon Uest Hemi, ndërsa në media dhe në opinionin publik është ngritur një stuhi lidhur me deklaratat e njërit prej drejtuesve të klubit, Toni Henri, që ishte shprehur se “nuk duam të marrim lojtarë të tjerë afrikanë sepse na krijojnë probleme, kur lihen jashtë skuadrës”. Uest Hemi e pezulloi menjëherë Henrin nga detyra, ndërsa Federata nisi hetimet.
Gjithçka filloi me një intervistë të ish-lojtarit të Uest Hemit, Diafra Sakho, i cili akuzoi klubin londinez për racizëm. Sakho u largua nga Londra në janar dhe kaloi tek Rena në Francë, ndërsa mediat zbuluan se Henri i kishte dërguar një e-mail një agjenti të një lojtari afrikan, ku shkruante se “nuk duam të marrim lojtarë të tjerë afrikanë sepse na krijojnë probleme, kur lihen jashtë skuadrës”. Henri u detyrua ta pranonte këtë, ndonëse u justifikua se nuk bëhej fjalë për racizëm, por për rregullin e ekipit.
Sakho u përgjigj në rrjetet sociale duke deklaruar se “Uest Hemi gënjen, por e vërteta do të dalë, unë kam besim tek drejtësia”. “Ne afrikanët kemi karakter, ne jemi si luanët dhe ata tremben nga ne”, – theksoi sulmuesi 28-vjeçar i Senegalit. Uest Hemi ka aktualisht 6 lojtarë me origjinë nga Afrika.
Sfidanti.al