Moska është e mallkuar për Realin, humb prapë me CSKA-në

Reali i Madridit është superfuqia historike e Euroligës, veçse CSKA nuk është shumë më poshtë, dhe sidomos në Moskë është e pathyeshme. Në prani të mbi 12 000 tifozëve, në kryeqytetin rus u luajt derbi i vjetër i basketbollit europian të meshkujve, dhe Reali pësoi humbjen e pestë radhazi. Që nga viti 2008, madrilenët nuk ia dalin në Moskë.

Vendasit triumfuan 93-87, por patën një shpërthim të jashtëzakonshëm në periodën e parë kur kryesuan 24-3, dhe e mbyllën 33-11. Ish-lojtari i Realit, Sergio “El Çaço” Rodrigez, udhëhoqi moskovitët duke shënuar 18 pikë e duke dhënë 5 asistë. Në krah të tij amerikanët Hingins (16 pikë), Klajbërn (11) e Hanter (11), si dhe francezi De Kolo (10) e rusi Kurbanov (10).

Reali u mbështet sërish tek 19-vjeçari Luka Donçiç që realizoi 21 pikë, ndihmuar nga Karrol (16) apo Tompkins (13). Spanjollët u përpoqën të afroheshin gjatë gjithë ndeshjes, duke qenë në pushim me shifrat 31-54, pas periodës së tretë 60-78, dhe duke pasur pak shpresë në minutat përmbyllëse. CSKA kryeson Euroligën me 17 fitore e 4 humbje, ndërsa Reali zbriti në vendin e pestë me 13 fitore e 8 humbje, baraz me Panathinaikosin e Zhalgirisin.

Sfidanti.al