Scaloni i hap dyert Messit në stafin e Argjentinës

Lionel Messi mund të ketë një të ardhme në stafin teknik të kombëtares së Argjentinës, pasi të vendosë përfundimisht t’i japë fund karrierës si futbollist. Trajneri Lionel Scaloni ka shprehur hapur dëshirën për ta pasur ‘yllin’ e Inter Miamit pranë tij, duke theksuar se dyert e përfaqësueses janë të hapura.

Në prag të miqësores me Kosta Rikën, tekniku argjentinas foli për të ardhmen e kapitenit të tij dhe mundësinë që ai të marrë një rol të ri në kombëtare. Deklaratat e Scalonit vijnë edhe në një moment kur Walter Samuel pritet të largohet nga stafi teknik. “Unë mendoj se ai do të vazhdojë të luajë. Do ta bëjë këtë edhe pas vitit 2030, për aq kohë sa të ketë mundësi. Ai ka thënë tashmë jo për të vazhduar me kombëtaren si futbollist, por shpresoj që të luajë sa më gjatë të jetë e mundur”, u shpreh Scaloni.

Më pas, trajneri la të kuptohej se Messi do të ishte më se i mirëpritur në stafin e tij, nëse një ditë vendos të nisë një rrugëtim të ri në futboll. “Nëse dëshiron të vijë këtu, nuk ka asnjë problem. Tani që Walter po largohet… le të vijë ai!”, deklaroi me humor trajneri i Argjentinës. Messi, 39 vjeç, ka regjistruar 208 ndeshje dhe 126 gola me fanellën e përfaqësueses argjentinase. Ai ishte protagonisti kryesor i triumfit në Kupën e Botës 2022 në Katar, duke udhëhequr ‘Albicelesten’ drejt një prej sukseseve më të mëdha në historinë e saj.

Megjithatë, ylli argjentinas nuk duket se ka ndërmend të tërhiqet menjëherë nga futbolli i luajtur. Ai ka kontratë me Inter Miamin deri në dhjetor të vitit 2028 dhe synon të vazhdojë karrierën në fushë. Për momentin, ideja e një bashkëpunimi me Scalonin mbetet një mundësi për të ardhmen.