Afron përvjetori i tragjedisë, rrëfehet ish-ylli i Mançester Junajtidit

Harri Greg ka qenë në vitet 50-të portier i Mançester Junajtidit, i skuadrës së madhe që mbiquhej “bebet e Basbit”, por që pati një fund tragjik në aeroportin e Mynihut. Kthimi nga Beogradi për në Angli, pas ndeshjes në Champions ndaj Crvena Zvezdës, u bë nëpërmjet qytetit gjerman ku moti i keq dhe problemet e ndryshme bënë që aeroplani të rrëzohej që në nisje. Tetë lojtarë humbën jetën, ndërsa njëri prej atyre që shpëtuan, Harri Gregu, tregon se çfarë ka provuar që prej atij çasti.

“Për vite me radhë nuk doja të takoja familjarë të shokëve të mi që humbën jetën, – thotë sot ish-portieri, – ndjeja një lloj faji në veten time, sikur më pyesnin “përse ata dhe jo unë”. U desh shumë kohë që të bëja paqe me ndërgjegjen dhe të mos fshihesha më, pasi nuk kishte kuptim”. Harri po mbush 86 vjeç dhe do të shkojë të martën e 6 shkurtit në Mançester ku do të përkujtohet 60-vjetori i tragjedisë. “Do të jem atje bashkë me djalin tim Xhonin dhe gruan time të dashur, Karolinën, – vazhdon ai, – njerëzit thonë se unë mbetem po aq i dashur sa edhe ata që humbën jetën, dhe ndonjëherë unë e kam të vështirë ta kuptoj, pasi nuk kam qenë gjithnjë i sjellshëm apo i urtë. Thjesht, jam i lumtur që kam qenë pjesë e këtij klubi të madh”.

Sfidanti.al