Çfarë po ndodh me Klivlendin dhe Lebron Xhejmsin?!

Nuk ishte humbja ndaj Golden Stejtit që dha alarmin. Ndaj kampionëve edhe mund të mposhtesh me -10 pikë diferencë edhe në shtëpi, sidomos kur lufton deri në fund (91-93 rezultati në fund të periodës së tretë), por sërish Klivlend Kavaliersët janë një kaos total. Me 8 humbje në 10 ndeshjet e fundit, me më shumë humbje sesa fitore ndaj ekipeve më të mirë të NBA-së këtë sezon, skuadra e Lebron Xhejmsit duket se mund të ketë një fund të keq në maj-qershor, pra në plej of.

Çfarë po ndodh me kampionët e 2016-ës dhe me nënkampionët e 2015-ës e 2017-ës? Mediat në Klivlend raportojnë se janë vetë lojtarët që flasin për gjendjen si shumë të keqe. “Rotacioni që po bëhet (nga trajneri Lu) është tmerrësisht i keq, – thonë ata, duke mos dalë me emër, – IT (Ajsajah Tomas) është shumë më i dobët sesa Kajri (Irving), loja në mbrojtje është katastrofë. Për fat të keq, nuk ka më unitet në ekip, nuk ka atmosferë pozitive”.

Largimi i Kajri Irvingut duket se ka lënë gjurmë, si i vetmi lojtar që mund t’i afrohej Lebron Xhejmsit. “Mbreti” tashmë ka mbetur vetëm, ndërsa Tomas i ardhur nga Bostoni mund të jetë një tjetër tip lojtari, aq më shumë që ka qenë i dëmtuar. Problem tjetër për Klivlendin është mosha. Vetëm Xhejms do të mbushë 33 vjeç shumë shpejt, por janë edhe të tjerët si Korver 36-vjeçar, Uejd 36, Smith 31, Lov 29, Grin 30, Fraj 33 apo Kalderon 35.

Ekzistojnë të gjitha gjasat që Lebron të largohet për herë të dytë nga Klivlendi, ndoshta për tek Lejkërsat, për të mos u kthyer më. Kontrata e tij përfundon në mbyllje të këtij sezoni.

Sfidanti.al