Dikur, në fund të viteve 70-të apo fillim të viteve 80-të, Johan Krujfit iu dha si me zili: “Sa shumë para që keni fituar në karrierë!” Holandezi ka qenë ndër ikonat e para të futbollistit-milioner, ashtu si Pele apo Franc Bekenbauer, i “shëndoshur” jo vetëm me kontratat me klubet e topkëmbës, por edhe me sponsorizimet nga kompanitë me famë botërore. Krujfi iu përgjigj: “Më ktheni rininë, dhe ua jap të gjitha paratë që kam fituar”.
Sot, Harri Kejn po thotë të njëjtin “refren” si “holandezi fluturues”. “Më është dashur të sakrifikoj një pjesë të jetës sime normale private dhe shoqërore për të arritur këtu ku jam tani, – thotë ai, – po të ishte ndryshe, nuk do të kisha arritur të fitoja garën e golit me Mesin apo Ronaldon”. “Jam shumë krenar që ia dola ndaj dy prej lojtarëve më të mirë të të gjitha kohëve, – vazhdoi sulmuesi anglez, – ata janë më të mirët e epokës sonë, dhe unë do të doja të isha fitues çdo vit”.
Kejn, futbollist i Totenhemit dhe kapiten i kombëtares së Anglisë, shënoi 56 gola në vitin kalendarik 2017 duke lënë prapa emrat më të mëdhenj si Mesi, Ronaldo, Levandovski apo Kavani.
Sfidanti.al