Jo vetëm me Pelen e Maradonën, Mesi matet edhe me Gerd Mylerin

Në fund të vitit të kaluar theu rekordin e Gerd Mylerit me 525 gola të shënuar për një skuadër të vetme në një nga 5 ligat e mëdha europiane. Lionel Mesi pati edhe më shumë për të “thënë”, pasi me rrjetën ndaj Levantes barazoi rekordin tjetër të bomberit gjerman, atë të golave të shënuar në karrierë në një nga ligat e mëdha. Sulmuesi i Bajernit arriti në 365 gola në Bundesligë, që të gjithë për bavarezët, dhe ylli i Barcelonës arriti po 365 në La Liga, që të gjithë për katalanasit.

Legjenda e Mesit rritet edhe më shumë kur shikon statistikat dhe lexon se “Der Bomber der Nation” i shënoi 365 golat e tij në 427 ndeshje, natyrisht një mesatare e mrekullueshme, por Mesit iu deshën më pak, vetëm 400 ndeshje. Madhështia e argjentinasit bëhet e plotë kur krahason rolet, pasi Myler ishte qendërsulmues tipik, ndërsa Leo një lojtar që luan më larg portës. Tashmë, Mesi pritet ta thyejë rekordin e GM-së, ndërsa ai bëhet edhe më i famshëm sepse jo vetëm krahasohet me Pelen apo Maradonën, por edhe me bombardues të tillë si Myleri.

Sfidanti.al