Lajmet je i detyruar t’i marrësh vesh edhe nëse nuk ke dëshirë. Maurisio Poçetino, trajneri shumë i mirë i Totenhemit, padyshim që e dëgjoi “sagën” e Kutinjos, dhe shumën prej 160 milionë eurosh që pagoi Barcelona për yllin e Liverpulit. Argjentinasi ndihet shumë keq duke e vendosur veten në vendin e trajnerit të Liverpulit, Jurgen Klop, pasi edhe ai shpejt mund ta ketë të njëjtin hall.
Poçetino u shqetësua edhe më shumë nga dy golat e shënuar nga Harri Kejn në raundin e tretë të Kupës së Anglisë ndaj Uimbëlldonit në “Uembli”, me kapitenin e Anglisë që e nisi vitin aty ku e la 2017-ën, pra duke realizuar rrjeta. Si do t’ia bësh nëse Reali apo Barça ofrojnë një shumë tepër të madhe për Kejnin, u pyet trajneri.
“A mund të ma thoni ju, si mund ta ndaloj të largohet”, – tha Poçetino po në formë pyetjeje. “Nëse ofrohen aq sa Barcelona pagoi për Kutinjon, unë nuk e mbaj dot”, – pohoi ai. Shpresa e vetme është jo që të mos ofrohen ato para, pasi është e sigurt se Reali, Barcelona apo Paris SG do ta bëjnë, por që Harri Kejn të imitojë një legjendë si Françesko Toti, për të luajtur gjithë jetën me skuadrën e tij të zemrës, skuadrën që e bëri futbollist, pra Totenhemin.
Sfidanti.al