Futbollisti argjentinas, Karlos Tevez, ka vendosur që ta prishë kontratën e majme me klubin kinez, Shangai Shehua, që i jepte Karlitos, sikurse i thonë ndryshe Tevezit, një pagë prej 700 000 eurosh në javë, që e bënte atë futbollistin më të paguar në botë.
Klubi kinez në fjalë e dha me mjaft lehtësi lejën për prishjen e kontratës me këtë futbollit, duke qenë se kryesia e tij ishte shumë e pakënaqur me lojën e tij. Ç’është e vërteta, qëndrimi i Karlitos në Kinë ishte i palavdishëm, pasi ai shënoi vetëm katër gola në 20 ndeshje që ka luajtur, por, sidoqoftë, gjatë, pak a shumë, një viti, ai fitoi më shumë se 35 milionë euro.
Ky futbollist 33-vjeçar nuk do të presë gjatë që të gjejë një klub të ri, pasi atë është gati që ta pranojë në radhët e veta ekipi argjentinas, Boka Juniors, ku ai me siguri edhe do ta mbyllë karrierën e tij si futbollist aktiv.