Derbi i Londrës, një rrëmujë e vërtetë dhe shumë e kushtueshme

Ishte një nga “ato ndeshje”. Kështu nisi komenti i “Deili Meilit” për derbin Arsenal-Çelsi që përfundoi 2-2 në “Emirejts Stejdium”. Ndeshja nuk ishte “një nga ato” vetëm për faktin se pati 4 gola dhe shumë raste të tjera, pra plot me emocion, por edhe sepse ishte një shfaqje emocionuese e rrëmujshme, një “mish-mash” që i prishi punë të dyja skuadrave, edhe pse Arsenali e mbylli me një përqafim të madh pas barazimit të Hektor Belerinit në sekondat e fundit.

Shifrat “remi” bënë që Çelsi të mbetej sërish pas Mançester Junajtidit në renditjen e Premier Ligës, me vetëm 2 pikë më shumë se Liverpuli, ndërsa Arsenali humbi edhe më shumë terren në betejën për një vend në Champions. “Topçinjtë” e Arsen Vengerit kanë tani 39 pikë, ndaj 62 të Sitit, 47 të Junajtidit, 46 të Çelsit dhe 44 të Liverpulit, ndërsa mbi ta është edhe Totenhemi me 40 pikë dhe një ndeshje më pak të luajtur.

Xhek Uilsher shënoi pas më shumë se dy vitesh, duke i dhënë epërsinë Arsenalit në minutën e 63-të, por Eden Hazar barazoi shpejt, që në 67’ me penallti, ndërsa spanjolli Markos Alonso u duk se i dha fitoren bluve të Kontes në 84’. Nuk qe e thënë pasi spanjolli Belerin barazoi, ndërsa spanjolli tjetër Alvaro Morata ishte hija e vetvetes. Humbi 3 raste të pastër për gol, duke i ngjarë më shumë Fernando Torresit sesa Diego Kostës.

Sfidanti.al