Kutinjo-Barcelona; Jurgen Klop, pengesa e fundit

Filipe Kutinjo nuk është ende një futbollist I Barcelonës, pavarësisht njoftimit të Nike që më pas u zhduk nga qarkullimi. Kutinjo nuk është ende lojtar i Barcelonës, kjo edhe për faktin se Barcelona e Liverpuli nuk e kanë arritur ende një marrëveshje zyrtare, pasi te ‘The Reds’ askush nuk dëshiron që të privohet nga futbollist në merkaton dimërore; bëhet fjalë për trajnerin Jurgen Klop që kërkon ta mbajë Kutinjon të paktën deri në muajin qershor.  Historia e transferimit të Kutinjos është një  telenovelë e vërtetë. Verën e kaluar Barcelona u shfaq disa herë në pragun e portës së Liverpulit  duke bërë oferta të njëpasnjëshme, e fundit arriti në 130 milionë Euro, por asnjë prej tyre nuk e bëri Liverpulin që të lejojë futbollistin të largohet në drejtim të Spanjës.

Ajo që duhet të bëjë Barcelona është të rrisë ofertën e saj deri në 140 milionë Euro duke i shtuar edhe disa bonuse të tjera për të blerë kartonin e Kutinjos. Vlen të kujtohet se Barcelona kur pa që nuk ia doli dot të  sigurojë Kutinjon hodhi syte nga Dortmundi ku bleu Dembele për 115 milionë Euro+ bonus, me futbollistin që u dëmtua menjëherë duke qëndruar jashtë fushave të lojës për disa muaj.

Ndërkaq, Liverpuli kreu një fushatë blerjesh faraonike; gjatë muajve të verës në Anfield erdhën Salah dhe Okslejd-Çambërlejn për një shifër mbi 80 milionë euro. Më pas u ble Nabi Keita nga Lajpcigu për 75 milionë Euro, por mesfushori do të vijë në Angli vetëm në qershor. Në fund Liverpuli përforcoi edhe mbrojtjen duke marrë Van Dajk nga Sauthempton për 85 milionë Euro, shifra këto marramendëse të shpenzuara nga Liverpuli që të lë të kuptosh se largimi i Kutinjos tashmë është bërë i nevojshëm për sa i përket bilancit, por jo i detyrueshëm duke qenë se në Premier League investime të tilla janë të mbuluar nga të ardhurat e mëdha të siguruara nga kontratat e pasura të të drejtave televizive dhe planeve të tjera financiare.

Në këtë pikë ‘pjesë e lojës’ u bë edhe Nike me gafën e saj që publikoi njoftimin për transferimin e Kutinjos te Barcelona, njoftim që u zhduk menjëherë, or sipas ‘The Times’ as Barcelona e as Nike nuk kanë bërë një koment në lidhje me këtë cështje

Te Liverpuli të gjithë, e sidomos Klop, janë të bindur se largimi i menjëherëshëm i Kutinjos jo vetëm që nuk është i nevojshëm, por është edhe një lëvizje jo pozitive për klubin në aspektin sportiv. ‘The Reds’ do të privoheshin nga futbollisti i tyre më i mirë në1/8 e finaleve të Ligës së Kampioneve kundër Portos, ndërkohë që në krahun tjetër as Barcelona nuk do të mund ta aktivizojë duke qenë se Kutinjo ka luajtur tashmë ndeshje të ligës së Kampioneve me Liverpulin. Gjithsesi, Liverpuli nuk është i papërgatitur nëse Kutinjo largohet. Emri i zëvendësuesit është gjetur tashmë dhe bëhet fjalë për Manuel Maxini, 24 vjec, që është pjesë e Uest Hemit që vlerësohet 40 milionë Paund.

Sfidanti.al