Pogba, 105 milionë kartoni, 15 milionë rroga … për të prishur punë

Nëse Pol Pogba nuk do të kishte zgjatur këmbën për t’i dhënë goditjen e fundit topit, Mançester Junajtid do të kishte kaluar në avantazh dhe ndoshta do ta kishte fituar ndeshjen ndaj Sauthemptonit. Për dreq, ylli francez bëri lëmsh gjithçka, ndërsa gjuajtja e Nemanja Matiçit po shkonte vetë për në rrjetë. Francezi ishte ofsajd, por nuk u kujdes që ta kuptonte këtë, duke i kushtuar shtrenjtë skuadrës.

Kartoni i tij u mor nga Juventusi në 2016 për 105 milionë euro, ndërsa iu dha rroga prej 15 milionë eurosh në sezon në “Old Traford”. E gjitha kjo, vetëm për 8 gola në 40 ndeshje në Premier Ligë në dy vjet të tërë, dhe 12 gola gjithsej për “djajtë e kuq”. Zhoze Murinjo ndoshta ka ende besim tek ai (ose të paktën kështu thotë), por Pogba ka marrë kritika të forta gjatë të dy sezoneve në Angli, ndryshe nga paraqitja tek Juventusi. Në fund të fundit, ai nuk është aspak një fëmijë, por plot 24 vjeç dhe po i afrohet moshës kur lojtari arrin kulmin e pjekurisë dhe të formës.

Sfidanti.al