Po Murinjo, Klop u tregua hipokrit, por është më simpatik se ty!

Zhoze Murinjo është padyshim një qenie inteligjente dhe që di të mbijetojë edhe në momentet më të vështira. Trajneri i Mançester Junajtidit ka gjetur tani diçka për t’u hedhur në sulm dhe objektivi është Jurgen Klop. Zhoze e akuzoi trajnerin e Liverpulit si “hipokrit” pas blerjes së Van Dajkut për 85 milionë euro. “Ai që duhet të komentojë këtë situatë është Jurgeni, – tha Murinjo para gazetarëve, – nëse unë do të isha një nga ju, do ta pyesja Jurgenin për komentet që bëri një vit më parë kur ne morëm Pogbanë. Ai na kritikoi që ne paguam mbi 100 milionë. Kur Jurgeni erdhi tek Liverpuli, ai kishte besim të madh tek vetja si trajner i madh, dhe ai është vërtet trajner i madh, por kjo nuk mjafton. Që të synosh Premier Ligën apo Championsin duhet të bësh çmenduri me blerjet”.

Dakord, Zhoze, ti ke të drejtë. Klop nuk u tregua hipokrit, por u bë kontradiktor me veten, pasi pagoi 85 milionë euro për një mbrojtës. Veçse, pavarësisht këtij gabimi, trajneri gjerman është shumë simpatik, ndërsa Murinjo nuk është. Klop nuk mburret dhe nuk sulmon kolegët, ndërsa portugezi e bën shpesh këtë gjë.

Sfidanti.al