Shqipëria e Panuçit unikale: kundër Turqisë apo kundër infermierisë?

Edhe pse Shqipëria ishte i vetmi vend që besoi kokën në duart e një trajneri pa provë, Kristian Panuçi, s’ka frikë të shfaqet  unikal nëpermjet stilit me të cilin grumbullon kombëtaren shqiptare. Ngaqë jemi një familje, apo, siç predikon ai, të bashkuar grusht me ndihmën italiane, në listën e ndeshjes miqësore me Turqinë, takon futbollistë me ekip dhe pa ekip, të shëndosh dhe ..me një këmbë!.  Futbollistë pa ekip kemi provuar edhe me trajnerë të tjerë, po si është puna që thirren edhe futbollistë me një këmbë gati për lojë, ngaqë tjetren e kanë në..spital?! Shpjegimi i Panuçit është më shumë shqiptar se sa e lejon orbita jonë: “ Lojtarët e dëmtuar duhet të sjellin një rezonancë apo një eko me vete për të vërtetuar dëmtimin,. Federata ka vepruar në mënyrë profesionale”. Mos e thuaj këtë i dashur Mister, nëse flitet për profesionalizëm, atëherë përse lind nevoja, dhe më shumë dyshimi, që futbollistët çalë-çalë të vijnë dhe të tregojnë plagët tek “mjekët” e FSHF-së.

Shikoni, sa bindës shpjegimi për mungesën italiane të portierit Strakosha: “ Ishte një rast i veçantë, pasi këtë të enjte iu shfaqën probleme të vjetra”. Cilat janë këto probleme të vjetra që trajneri i ditka, kurse për futbollistët e tjerë të infermierisë  kërkon prova të reja. Mos prisni që italiani të jetë kaq i hapur  sa të na e thotë troç : “  Na kërkuan një nder nga Lacio dhe nuk mund t’ia prishnim”. Ishte vetë Igli Tare nga ana e tyre? Po nga ana jonë, mos ishte vallë vetë i madhi,  presidenti Duka? S’besojmë se të mëdhenjtë vrasin kohën edhe me listat…

Sfidanti.al