Fetel puth kupën e ngushëllimit, Hamilton spektakël për titullin!

Ishte një kupë ngushëllimi ajo që puthi Sebastian Fetel në Brazil, ndërsa me sytë mbyllur me siguri imagjinonte se çfarë mund të kishte ndodhur nëse në shtator dhe tetor nuk do të ishin bërë ato gabime të mëdha nga ana e tij dhe e Ferrarit. Kupa që u puth ishte thjesht trofeu i Çmimit të Madh të Brazilit, që gjermani e bëri të vetin lehtësisht, duke përfituar nga gabimi i së shtunës i Ljuis Hamiltonit. Kampioni i botës u detyrua të nisej i fundit, madje që nga pit stopi.

Nëse Fetel komandoi pjesën më të madhe të garës, duke kaluar Botasin e Mercedesit në start, Hamilton ishte qendra e vëmendjes së kamerave dhe e publikut. Britaniku i Mercedesit rikuperoi 16 vende duke dalë në vend të katërt, duke bërë parakalime të shumta, sidomos atë ndaj Verstapenit të Red Bullit. Në fund, dëmtimi i gomave nuk e lejoi të parakalonte edhe Kimi Raikonenin dhe të mbërrinte podiumin, në vend të tretë.

Sado spektakolar, katër herë kampioni i botës nuk pati rekordin e parakalimeve në karrierë. Në 2014, në Hungari ai fitoi 19 vende duke dalë në vend të dytë, që nga vendi i fundit, ndonëse në një pistë të ngushtë dhe në një të nxehtë të madh. Vjet në Belgjikë, Hamilton rikuperoi 18 vende, ndërsa 16 ashtu si këtë herë, i fitoi në 2012 në Spanjë.

Sfidanti.al