Shkëlqen gjithçka rreth Kristiano Ronaldos, por jo ai vetë!

U shpall Lojtari i vitit nga FIFA dhe pritet që të fitojë edhe Topin e Artë të “Frans Futbollit”. Kristiano Ronaldo njihet zyrtarisht si futbollisti më i mirë në botë, ndërsa Reali i tij besohet se do ta fitojë edhe Kupën e Botës për klubet, për të dytin vit radhazi. Në maj u fitua edhe Championsi (përsë dyti radhazi) dhe La Liga, ndërsa në gusht Superkupa e Spanjës dhe ajo e Europës. E ku ka më mirë për CR7-tën!

Shkëlqimi, gjithsesi, është i jashtëm, jo i brendshëm. Golshënuesi më i mirë i Realit në gjithë historinë, si dhe më i miri i kupave të Europës po në gjithë historinë, nuk është aspak i lumtur dhe kjo duket qartë. Ai nuk po shënon dot gola në La Liga, me ecurinë më të dobët të karrierës, jo vetëm në Spanjë, por edhe kur ishte në Angli. Po ashtu, ai ka kritikuar klubin se nuk ka përvojë sa duhet në skuadër, ndërsa ka nisur sërish të mos festojë golat që shënojnë shokët.

Kritikat e tij kanë sjellë një qortim nga kapiteni Sergio Ramos, dhe kjo e ka bërë edhe më të vetmuar figurën madhështore të portugezit. Në moshën 32-vjeçare duket se Ronaldo po i afrohet fundit të udhëtimit të tij në nivele të larta, ndonëse kjo është ende e parakohshme që të thuhet.

Sfidanti.al