Bostoni dominon Lindjen, por Golden Stejti tremb në Perëndim

Tradita më e madhe e NBA-së po kthehet, të paktën në Konferencën Lindore, por edhe modernia, pra e tashmja, nuk ka mbetur shumë prapa. Boston Sëlltiks dhe Golden Stejt Uorriors janë kryesuesit e dy gjysmave të mëdha të kampionatit amerikan të  basketbollit, në një sezon që duket shumë më interesant sesa i kaluari.

Sëlltiks, rekordmenë me 18 tituj, po përpiqen të ngjiten sërish në lavdinë e kohësve të Bill Rasëllit dhe Lerri Bërdit, ndërsa Golden Stejti kërkon të konfirmohet për të katërtin sezon radhazi. Në Boston, lideri i ri është Kajri Irving, i larguar nga “hija” e Lebron Xhejmsit pikërisht për të treguar se mund të udhëheqë një skuadër drejt titullit.

Në Kaliforni, Uorriorsët së fundmi u bazuan tek modeli i vjetër, pra “minus Kevin Durantin”. Superlojtari i ardhur nga Oklahoma në 2016 ishte i dëmtuar, dhe Golden Stejti u mbështet tek struktura e dikurshme për të fituar 125-101 ndaj Minesotës. Ishin përballë dy prej ekipeve më të mirë të Konferencës Perëndimore, dhe vendasit ia dolën bindshëm në Arenën e Oklendit.

Stefën Kërri shënoi 22 pikë, kapi 8 topa në tabela dhe shërbeu 8 asistë, i vodhi dy topa kundërshtarëve dhe u bllokoi një gjuajtje. Kapiteni Klej Tompson pati 28 pikë, 5 topa në tabela dhe 3 asistë, ndërsa Drejmond Grin ishte 7-6-6 në këto elementë. Gjithsesi, një ndihmë e madhe erdhi nga lojtarët e tjerë, pasi Iguodala, Jang, Kaspi, Uest e Livingston shënuan së bashku plot 54 pikë.

Golden Stejti u ngjit në vend të parë në Perëndim, aty ku ka dalë kampion tri herë radhazi, tashmë me bilancin 8 fitore e 3 humbje, baraz me Hjustonin.

Sfidanti.al