Batuta në Vlorë: Ç’të bëri deti, ndërrohet me : Ç’të bën pulat e FSHF-së?

Kjo ishte parrulla më ëmbël që kanë vendosur ndonjëherë tifozët vlonjatë “Pulave u ka hije të kakarisin vetëm në kotec”,  dhe përsëri janë  dënuar si “gjela”.  Komisionet  e FSHF-së  ekzistojnë me pikatore, por kur zgjohen ama, çohen me një zell patologjik për të dënuar Flamurtarin. Si për faj të oratorive shpartalluese të Sinan Idrizit ndaj presidentit Duka, që bëhet si pulë kur e akuzon rebeli vlonjat, ashtu edhe prej tifozëve , të cilët u dënuan prapeë të mos jenë 4 javë  në stadium, për shkak të një parrulle që është transkriptuar me ligesi nga stilistet zyrtar.  Gjithçka është e ndaluar në Vlorë,  mund të dënohesh nga “afijet e futbollit” edhe sikur të dëgjojnë shprehjen e vjetër dhe komike : “ Çfarë të bëri deti, o delegat i verber i FSHF-së!”.  Nuk e vlerësuam tamam në ato momente, veç gjesti i Shpëtim Gjikës, kur ishte në krye të klubit,  për t’i falur një palë tapa për veshët titullarit të futbollit, paska qënë trashëgimi me vlerë. Njerëzit e zyrave, shkojnë me vesh të ngrehur në Vlorë( kurse arbitrat preferohen miope) dhe të pajisur me dylbi për të gjetur  qimen në pjatën e futbollit qe mban era vezë e prishur, të atij futbolli  që di më shumë të dënojë sesa të lodrojë..

Sapo është dënuar me 4 javë Flamurtari për shkak të pulave, shumë pyetje kureshtare dhe provokuese kanë lindur jo vetëm në Vlorë, por edhe në qytetet e tjera ku rriten ..pulat. Pse delegati i FSHF-së  ndërpreu ndeshjen në Vlorë, gati 6 minuta vetëm për shkak të parrullës me pula? Për cilat pula bëhet fjalë, për ato që nxjerrin vezën “e artë” apo për pulat zyrtare që kakarisin vetëm me urdhër të gjelit kokosh? Sido që të jetë e vërteta, leksioni që vjen nga denimi i Vlorës është i qartë dhe i prerë: “  Mund të shani edhe motrat e njëri- tjetrit në këtë biçim loje, sepse ndeshja s’do të  ndërpritet,por… guxoni të shani njerëzit dhe pulat e Federatës!

Sfidanti.al