“Mungon Kejn? Unë besoj te kolektivi”, thotë Poçetino!

Harri Kejn nuk do të mund t’ia dalë. Totenhemi do të jetë pa yllin kryesor në “Stadiumin e Ëndrrave”, pra në “Old Traford” ndaj Mançester Junajtidit. Në një nga përballjet më të vështira (Junajtid vjen pas humbjes me Hadërsfildin), trajneri Maurisio Poçetino do të ketë edhe mungesën më të madhe, atë të shënuesit kryesor dhe zv. kapitenit.

“Padyshim që ne mund të fitojmë edhe pa Harrin, – thotë argjentinasi, – unë gjithnjë besoj se mund të fitojmë, me një apo me një tjetër skuadër, me një apo një tjetër lojtar. Unë kam besim te kolektivi”. Duke treguar gjendjen e sulmuesit, Poçetino vazhdoi se “nuk mund të rrezikojmë shëndetin e lojtarit, është një dëmtim i vogël, jo shqetësues, por nuk mund të nxitohemi, madje do të shikojmë nëse mundet apo jo të luajë ndaj Realit të mërkurën”.

Sezonin e kaluar, Totenhemi fitoi 5 ndeshje dhe barazoi 3 në mungesë të Harri Kejnit. Poçetino po përpiqet të fitojë një titull kampion me Totenhemin, edhe pse nuk do të jetë e lehtë. Ekipi i tij ka 20 pikë, po aq sa Junajtid, dhe 5 më pak se kryesuesi Mançester Siti.

Sfidanti.al