Dhe këta mungonin, Legjendat sulmojnë ashpër Arsenalin

Humbja poshtëruese 4-0 e Arsenalit ndaj Liverpulit, në javën e tretë të Premier Ligës angleze, ka tërbuar jo vetëm tifozët që kanë filluar të kërkojnë përsëri largimin e trajnerit Arsen Venger, por edhe të legjendave të futbollit që dikur kanë qenë edhe vetë “topçinj”. Në fakt, reagime të tilla janë të jusitfikuara, pasi Arsenali në ndeshjen me Liverpulin dukej si një ekip pa dëshira dhe ide, shkurt, ishte një katastrofë e vërtetë!

Legjendja e Arsenalit, Tieri Anri, tha, mbas ndeshjes se, në një moment, ai ishte gati që të largohej nga stadiumi, sepse ishte më shumë sesa i shokuar. “Nuk është fjala për humbjen, ajo nuk përbën ndonjë problem të madh, problem është mënyra sesi Arsenali i humbet ndeshjet. Ekipit i mungojnë dëshira, përkushtimi, entuziazmi dhe ajo shkëndija e brendshme”, vuri në dukje Anri që, fundi i fundit, u tregua i butë në kritikat e tij, gjë që nuk mund të thuhet për Geri Nevilin, kritika e të cilit ishte, tamam, “ekzekutuese”: “Të ishte për mua, unë të gjithë lojtarët do t’i vendosja në listën e transferimit. E kam me gjithë mend”.

Edhe Karageri nuk i kurseu kritikat në adresë të Arsenalit: “Loja e Arsenalit në mesfushë është katastrofike. Ramzi nuk e shihte topin fare, ishte krejtësisht jashtë loje”, theksoi ai.

Sfidanti.al