Partizani shkon në Shqipëri, thonë mediat serbe, të gjithë respektojnë Skënderbeun!

Fillimi dhe mbyllja do të jenë të vështirë. Skënderbeu mësoi kalendarin e ndeshjeve të grupit B në Ligën e Europës, ku do të ndeshet me Dinamon e Kievit, Partizanin e Beogradit dhe Jang Bojsin. Nisja do të jetë në 14 shtator në Ukrainë, pikërisht në stadiumin “Republikan” të Kievit ndaj Dinamos, një rivali me të cilin është ndeshur disa herë në miqësore. Edhe trajneri i Dinamos, Aliaksander Haskieviç theksoi pikërisht këtë, duke thënë se “Skënderbeun e njohim më mirë se çdo kundërshtar tjetër”.

Në javën e dytë, skuadra shqiptare do të ndeshet me Jang Bojsin në “Elbasan Arena” në 28 shtator, ndërsa përballjet më të nxehta janë lënë në tetor e nëntor. Skënderbeu pret Partizanin në 19 tetor po në Elbasan, ndërsa ndeshjen e kthimit e luan në Beograd në 2 nëntor. Përballja në po atë stadium ku u dhunua kombëtarja shqiptare 3 vjet të shkuara në eleminatoret e Europianit.

Trajneri i Partizanit të Beogradit, Mirosllav Gjukiç, u tregua i kujdesshëm në komentet e tij. “Grupi ynë është i barabartë dhe çdo ekip ka shanse që të kualifikohet”, – tha ai. Mediat serbe veçuan menjëherë faktin se Partizani do të shkojë në Shqipëri, siç komentoi “B92”-shi, duke shtuar se Arsenali i Londrës do të vizitojë Beogradin.

Në 23 nëntor, korçarët e Dajës presin Dinamon në Shqipëri, ndërsa faza e grupeve përfundon në Zvicër, kundër Jang Bojsit. Trajneri i Jang Bojsit, Adi Hyter, është optimist pasi ekipi i tij e eleminoi Dinamon e Kievit në Champions, ndërsa për Skënderbeun thotë se “fakti që ka eleminuar Dinamon e Zagrebit, do të thotë shumë për forcën e kundërshtarit”.

Sfidanti.al