Kombëtarja le të mos shkojë në Botëror. Tifozët shqiptarë kanë për çfarë të gëzojnë dhe për çfarë të krenohen, kanë Skënderbeun. Gjashtë herë kampionia e Shqipërisë bëri një tjetër heroizëm, më të madhin e gjithë këtyre viteve, duke kaluar për në fazën e grupeve mbi vetë Dinamon e madhe të Zagrebit.
Nuk u penguan as nga emri i madh i kundërshtarit, as nga cilësia më e madhe e lojtarëve, të paktën në letër, dhe as nga fakti se dy vjet më parë u mposhtën bindshëm prej tyre. Në “Elbasan Arena” fituan në një përballje nervash dhe taktike dhe në vjeshtë do të luajnë për herë të dytë në histori në vetë Ligën e Europës. Përballuan edhe 17 minuta në inferioritet numerik kur Nimaga u përjashtua me karton të kuq.
Parashikimet ishin të gjitha kundër përfaqësuesve të Shqipërisë, por ata vetë dhe trajneri i tyre, Ilir Daja nuk kishin asnjë dyshim. Ishin të bindur se mund të mateshin barabar me Dinamon dhe se mund t’ia dilnin siç ia dolën. Dy barazimet do të hyjnë në historinë e futbollit shqiptar si dy kryevepra, ndonëse mund të mos barazohen dot me dy barazimet e Flamurtarit ndaj Barcelonës në 1986, barazime që gjithsesi nuk sollën dot atëherë një kualifikim sensacional.
Triumfi i Skënderbeut ndoshta nuk do të barazohet as me përballjet e Tiranës së atëhershme me Ajaksin, apo Dinamon e Bukureshtit, apo të Flamurtarit me Partizanin e Beogradit, ekipe që atëherë arrinin deri në gjysmëfinalet europiane, por asnjë skuadër shqiptare nuk e ka pasur kurrë këtë vazhdimësi.
Në plej of të Ligës së Europës në 2013, në plej of të Championsit në 2015, në fazën e grupeve të Ligës së Europës po në 2015, ndërsa këtë edicion, sërish fazë grupesh në Europa League. Asnjë ekip shqiptar, po ashtu, nuk ka bilancin e korçarëve, me 12 fitore, 6 barazime e 14 humbje, as golaverazhin e tyer, 36 gola të shënuar e 44 të pësuar.
Një klub që ende nuk ka arritur maksimumin e potencialit dhe që luan në një ligë shumë të kritikuar dhe me shumë probleme, premton edhe më tepër në të ardhmen. Skënderbeu do të jetë edhe më i fortë kur tradita të bëhet më e madhe dhe kur akademia moderne ta bëjë që t’i ngjajë plotësisht Dinamos së Zagrebit.
Sfidanti.al