Largohet Uejn Runi, legjenda ikën si rekordmen nga Anglia!

Erdhi koha për të thënë mjaft. Uejn Runi, një nga legjendat më të mëdha të futbollit anglez, vendosi të tërhiqej nga kombëtarja. Sulmuesi 31-vjeçar, pasi u largua nga Mançester Junajtidi për tek Evertoni, bëri edhe hapin tjetër të rëndësishëm. Vlerësimi i gjithë vendit ku u shpik futbolli ishte për të, rekordmenin e ndeshjeve dhe rekordmenin e golave me përfaqësuesen, që u përshëndet me shokët e skuadrës.

“Ëndrrat mund të realizohen, shkruajti ai në Tuiter, dhe qenia pjesë e Anglisë ishte saktësisht kështu. Falenderoj këdo që ishte me mua, qe një kënaqësi e madhe”. Federata Angleze iu përgjigj po në Tuiter. “Pesëdhjetë e tre gola, 119 ndeshje, përgjithmonë një legjendë e jona. Faleminderit Uejn Runi!”.

Runi debutoi për Anglinë në 12 shkurt 2003 kundër Australisë, duke u bërë lojtari më i ri që vishte fanelën angleze në të gjitha kohët. Kjo, në moshën 17 vjeç e 111 ditë. Ai u bë golshënuesi më i mirë i Anglisë në histori, kur realizoi ndaj Maqedonisë në 6 shtator të po atij viti, kur ishte 17 vjeç e 317 ditë. Në një karrierë të shkëlqyer personale, Uejn Runi, vendosi çdo rekord të mundshëm, ndonëse paraqitjet jo bindëse të Anglisë, nuk e lejuan që të fitonte ndonjë trofe të madh, si Kupë Bote apo Kampionat Europian.

Sulmuesi u bë shënuesi më i mirë i të gjitha kohëve kur realizoi një penallti ndaj Zvicrës në 8 shtator 2015. Me 50 gola, ai la një gol prapa legjendën Sër Bobi Çarlton. Ai tërhiqet nga kombëtarja në moshën 31-vjeçare, jo edhe aq e madhe, por duke e ndjerë se e kishte të pamundur të përballonte fizikisht dhe mendërisht një ngarkesë të dyfishtë, edhe në Premier Ligë, edhe me Anglinë. E mbyll me rekordet 53 gola në 119 ndeshje.

Sfidanti.al