Një këshillë kampione nga Kroacia, Besnik Prenga tregon sesi fiton Skënderbeu!

Katër muaj më parë fitoi një titull të madh. Besnik Prenga u bë i pari trajner shqiptar që u shpall kampion i Kroacisë për të rinjtë, ndërsa sot mund të bëjë një parashikim për Skënderbeun. Dyzetetetëvjeçari, tashmë ish-trajner i ekipit U19 të Lokomotivës së Zagrebit, është mjaft optimist për korçarët në përballjen me Dinamon e Zagrebit.

“Nëse përpara ndeshjes së parë mendoja se shanset ishin 60 me 40 për Dinamon, tani mendoj se janë 50 me 50, – shprehet Prenga, – Skënderbeu luajti shumë mirë në pjesën e parë në Kroaci, dhe e vuri Dinamon në pozitë të vështirë. Nëse Skënderbeu luan kështu edhe në Elbasan, dhe sidomos në 30 minutat e para, unë nuk i jap shumë shanse Dinamos për kualifikim”.

Ai tregon gjendjen që ka Dinamo aktualisht, dhe i jep një këshillë me modesti kolegut të tij, Ilir Daja. “Dinamo po kalon një periudhë të turbullt, – shprehet trajneri kampion, – humbi titullin pas 11 vitesh, ka probleme në klub, ka probleme me trajnerët. Po ashtu ka shitur dy yjet më të mirë, Rog tek Napoli dhe Pjaca tek Juventusi, dhe këta të rinjtë që ka nuk po arrijnë aty ku mendohej. Besoj se është momenti i duhur për ta eleminuar Dinamon, o sot o kurrë”.

“Dua t’i them modestisht, shokut tim, trajnerit Ilir Daja, që të luajë në sulm ndaj Dinamos, – vazhdoi Prenga, – Dinamo nuk është mësuar ta sulmojnë, dhe kjo mund ta vendosë në vështirësi”. Prenga, ndërkaq, nuk është më në nivelin e të rinjve. Ai ka filluar aventurën tek të rriturit, dhe pikërisht me ekipin e kategorisë së dytë të Kroacisë, Luçko. “Është më mirë kur punon me të rriturit dhe e fitova ndeshjen e parë, – shprehet ai, – besoj se kam bërë hapin e duhur dhe se do të kem sukses”.

Sfidanti.al