Barça-Real në aktin e parë, kush e fiton “El Klasikon” e Superkupës?!

Herën e fundit ishin më të plotë. Barcelona e mundi Realin në finalen e turneut të verës në Amerikë, veçse, kur ende Nejmar ishte me fanelën “blaugrana”. Sonte, në orën 22:00, dy superfuqitë më të mëdha të Europës do të ndeshen në “Kamp Nou” për finalen e parë të Superkupës së Spanjës, ndërsa Nejmar do të jetë duke bërë debutimin për Paris SG.

Dyqindenjëzetedy milionë eurot e fituara nuk do t’i vlejnë ende skuadrës së trajnerit Ernesto Valverde, që nuk ka marrë asnjë përforcim. Katalanasit u prezantuan përpara tifozëve, pa Paulinjon, dhe pa përforcimet e menduara si Dembele apo Kutinjo. Gjithsesi, trajneri Ernesto Valverde, ka besim tek ekipi i tij, edhe pse porosit të mos llogaritet fitorja në Amerikë ndaj Realit.

“Reali është skuadra kampione e Spanjës dhe e Europës, pra rivali i sotëm është shumë i fortë, – tha ai, – E vërtetë që e mundëm në Amerikë, por ajo ishte thjesht një miqësore, ndërsa tani luhet për trofe të vërtetë. Gjithsesi, edhe ne nuk e quajmë veten më pak të fortë. Largimi i Nejmarit nuk më ka trembur, pasi kemi shumë lojtarë që mund të luajnë në vend të tij. Më shumë rëndësi ka stili sesa formacioni që do të kemi në fushë. Ne duhet të shikojmë përpara dhe jo prapa. Mbërrijmë në ndeshjet e Superkupës në formën e duhur”.

Reali tashmë i ka lënë pas festimet për fitoren e Superkupës së Europës. Ashtu si gjithë skuadrat e mëdha, si Barcelona apo Bajerni, madrilenët menjëherë arrijnë të përqendrohen tek objektivi i madh i radhës. Trajneri Zinedin Zidan po merr vlerësime të mëdha me sukseset që po arrin, ndërsa besohet se mund të ketë të gatshëm për ndeshje edhe Kristiano Ronaldon. Ai, gjithsesi, ka dëshirë të flasë për kundërshtarin.

“Barcelona nuk është e dobët, e kundërta është e vërtetë, – pohoi francezi, – E vërtetë që pati ndryshime, por në fund të fundit, gjithnjë mbetet Barcelona. Ne e dimë sesi luan dhe kjo nuk do të ndryshojë. Është e qartë se kanë humbur një lojtar të madh, pasi Nejmar nuk mund të zëvendësohet. Nuk ka asnjë tjetër si ai, por kushdo që të luajë në vend të tij, do të luajë mirë. Superkupa është një trofe që duam ta fitojmë, dhe lojtarët e ndjejnë edhe më të veçantë ndaj Barcelonës. Kurse, për mua është një ndeshje si gjithë të tjerat. Do të kemi përballë kundërshtarin më të vështirë të mundshëm, por jemi gati”.

Barcelona i ka fituar dy përballjet e fundit me Realin, në Amerikë me Nejmarin, por edhe në ligën spanjolle kur braziliani ishte i pezulluar. Ashtu si atë mbrëmje, tifozët besojnë se Lionel Mesi do të dijë ta udhëheqë skuadrën drejt fitores.

Sfidanti.al