Më në fund është zgjidhur edhe rebusi i vështirë i verës, meqenëse një pjesë e futbollit shqiptar, gjatë kësaj periudhe ka qenë shumë i interesuar për të ardhmen e trajnerit Milinkoviç. Ish-tekniku i Luftëtarit e ka bindur presidentin Gjici të Kukësit dhe do të jetë trajneri i kampionëve për sezonihn e ardhshëm, ndërsa tani mbetet për t’u parë se sa do të zgjasë bashkëjetesa e tyre. Dhe për të ardhur deri tek riti i zyrtarizimit që do të bëhet mesditën e sotme, u desh që të sajohej një rrëmujë e madhe. Fillimisht, kuksianët nuk i rinovuan kontratën Ernest Gjokës, trajnerit që i drejtoi deri në ditën e titullit të madh, por edhe në Champions, nga ku u largua i braktisur nga fati. Madje, për t’i dhënë ngjyra shqiptare operacionit të ndërrimit të pankinave, nuk denjuan as që ta falenderonin. Më pas, pothuajse u ra dakord me Skënder Gegën dhe pasi e shtynë disa herë ditën e prezantimit, për të kuptuar më mirë se a mund të punonin bashkë një tropojan me një kuksian, e zgjeruan pak hartën, duke thirrur një trajner nga Serbia.
Gega mbeti shumë i zhgënjyer, madje i fyer nga përfundimi, por në fakt nuk është i vetmi. Në periudhën e fundit në krye të stolit të Partizanit, Milinkoviç u kthye në makth edhe për Starovën. Çdo ditë në faqet e gazetave, ish-trajneri i Luftëtarit konsiderohej zëvendësuesi i “Bobit”, aq sa ky i fundit, pasi i erdhi në majë të hundës, deklaroi në një konferencë për shtyp, se tekniku që kishte bërë kaq shumë bujë ishte thjesht i zakonshëm, madje i papërshtatshëm për Partizanin. Sula u zëvendësua nga Mark Iuliano, ndërsa Milinkoviç mbërriti vërtetë në Tiranë, por për Kukësin, si dhe për të vazhduar të shijojë dashurinë e shqiptarëve.