Misteri “Nejmar”, nga fjalët e Pikesë tek babai i sulmuesit brazilian

Do të shkojë apo jo Nejmar tek Paris SG, kjo është pyetja më e madhe e verës. Pasi misteri “Mbape” duket se u zgjidh, me këmbënguljen e Perezit dhe Zidanit, tani pritet zgjidhja e misterit tjetër, që mund të thyejë rekordin botëror të transferimeve. Tashmë është e sigurt se vetë Nejmar e ka menduar seriozisht largimin nga Barcelona, dhe kjo del jo vetëm nga lajmet në media. E pohoi Gerard Pike, pasi mbrojtësi u shpreh se “i kam thënë Nejmarit se nuk mund të shkojë të luajë në një ligë si ajo e Francës”. Gjithsesi, mbrojtësi katalanas nuk ngurroi të lëshonte një shigjetim ndaj shokut të tij të skuadrës.

“Nejmar është një fëmijë 25-vjeçar që ka dyshime për të ardhmen”, – ishin fjalët e tij të sakta. Maskerano, i pyetur më pas, u shpreh se “fjalët e Pikesë janë ato që mendon gjithë skuadra”. Vetë trajneri Ernesto Valverde iu shmang hyrjes në polemikë duke u shprehur se “nuk është momenti tani për të folur për këtë”. Barcelona, ndërkaq, dëshiron të peshojë mirë çdo detaj përpara sesa të vendosë se çfarë duhet të bëjë me Nejmarin. Për ta bërë ambientin më të qetë dhe më të plotë për brazilianin, klubi katalanas ka përfshirë edhe babain e tij në delegacionin që ndodhet në SHBA për turneun e verës (në foto). Në përfundim të stërvitjes së fundit, Nejmar u ngjit në tribunë dhe takoi pikërisht babain, me të cilin bisedoi për disa minuta.

Sfidanti.al